75 Mall Live Search
11:17 / E Diele, 26 Tetor 2025 / Burim

Përparim Rama i përgjigjet Muratit: Po flet ti që prej 11 muajsh e ke bllokuar buxhetin e Prishtinës, hipokrizia ka kaluar çdo kufi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit.

Ai ka thënë se Murati e ka bllokuar buxhetin e kryeqytetit që 11 muaj.

‘Hekuran, të flasësh ti për “rrezikim të buxhetit” dhe “interes të shtetit” është qesharake. Ti që prej 11 muajsh e ke bllokuar buxhetin e Kryeqytetit, i ke ndal projektet kapitale, i ke blloku investimet e huaja dhe madje i ke bllokuar edhe të hyrat vetanake të qytetarëve, vetëm pse Prishtina nuk ju bindet politikisht. Kjo nuk është politikë, ky është shantazh institucional”, ka shkruar Rama.

I pari i Prishtinës përmendi edhe raportin e Grupit të Krizave.

“Këtë e vërtetoi edhe raporti i International Crisis Group, i cili thotë qartë se Qeveria ka bllokuar komunat që nuk qeverisen nga VV. Shto këtu faktin që Prishtina kontribuon mbi 49.8% të të hyrave tatimore të buxhetit të Kosovës. Pra, ju po e bllokoni pikërisht komunën që mban financiarisht shtetin, për të cilin sot dilni e shisni moral të rremë”, tha Rama.

“Mos u lodhni duke ia hedhur fajin të tjerëve, Kosovën e keni futur në krizë prej 9 shkurtit. Paaftësia juaj është problem, por dashakeqësia juaj është rrezik kombëtar. Patetikë jeni kur hiqeni si shpëtimtarë, ndërkohë që vetë e keni futur Kosovën në krizë”, përfundon postimi i tij.