75 Mall Live Search
14:33 / E Diele, 26 Tetor 2025 / L A

Kush është Marcus Sorg, trajneri që do ta drejtojë sot Barcelonën në El Clasico në mungesë të Flick?

Barcelona do të udhëtojë drejt “Santiago Bernabéu”-s për El Clásicon e parë të sezonit pa trajnerin Hansi Flick në pankinë.

Gjermani do të mungojë për shkak të një pezullimi, dhe në vend të tij ekipin do ta drejtojë asistenti Marcus Sorg.

Sorg doli sot para mediave në konferencën zyrtare të Barcelonës, në prag të ndeshjes ndaj Real Madridit. Flick u përjashtua me karton të kuq javën e kaluar në fitoren ndaj Gironës, dhe megjithëse klubi katalanas e apeloi vendimin tri herë, të gjitha ankesat u refuzuan. Zëvendësi i Flick-ut pranoi se mungesa e tij do të ndihet në përballjen e madhe.

Marcus Sorg, 59 vjeç, ka pasur një karrierë 15-vjeçare si sulmues në ligat e ulëta gjermane, para se të tërhiqej nga futbolli aktiv në vitin 1999. Pas kësaj, ai mori drejtimin e klubit Ulm, më pas u bashkua me Freiburgun si trajner i grupmoshave të reja, dhe për një periudhë katërmujore në vitin 2011 drejtoi edhe ekipin e parë. Më vonë punoi me akademinë e Bayern Munich, ku fitoi përvojë të madhe, dhe në vitin 2013 mori drejtimin e kombëtares gjermane U19.

Në vitin 2014, Sorg fitoi Kampionatin Europian U19, ndërsa në vitin 2016 u bë pjesë e stafit teknik të kombëtares A të Gjermanisë. Kur Hansi Flick u shkarkua nga drejtimi i “pancerave” në vitin 2023, Sorg e ndoqi atë në dalje.

Sipas të përditshmes Diario AS, Marcus Sorg njihet si person me profil të ulët, shumë i kujdesshëm me fjalët, besnik dhe vetëkritik në analizën e ndeshjeve. Ai ka marrëdhënie shumë të mira me lojtarët dhe fiton shpejt besimin e tyre.