Reuters: Partitë opozitare refuzuan të qeverisin me Kurtin, shkak raportet e tij me Perëndimin
Mediat ndërkombëtare kanë shkruar sot për dështimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në formimin e qeverisë së re pas daljes nga zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.
Agjencia e lajmeve Reuters në artikullin e saj ka pohuar se Parlamenti i Kosovës dështoi të zgjedhë Albin Kurtin si kryeministër të dielën, duke rritur gjasat që të shpallen zgjedhje të parakohshme për të thyer një bllokim politik pas një votimi parlamentar jo përfundimtar në shkurt.
“Kurti, kreu i partisë Vetëvendosje, i cili aktualisht shërben si kryeministër në detyrë, mori vetëm 56 vota në parlamentin me 120 vende – pesë më pak se shumica e nevojshme për të formuar një qeveri.”
“Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), votuan kundër kandidaturës së Kurtit,” shkruhet në artikullin e Reuters.
Më tej theksohet se mbetet e paqartë nëse presidenti i vendit do t’i kërkojë partisë së vendit të dytë apo të tretë të formojë një qeveri. Duke cituar partitë opozitare, PDK-në dhe LDK-në, Reuters shkruan se të dyja subjektet kanë thënë se mendojnë që duhet të mbahen zgjedhje të reja.
“Partitë opozitare kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar mënyrën se si ai i ka trajtuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë dhe veprimet e tij në veri të Kosovës, ku jeton një pjesë e pakicave serbe,” shkruan Reuters.
Po ashtu, edhe media ndërkombëtare Bloomberg ka raportuar për zhvillimet e fundit që ndodhën këtë të diel në Kosovë.
Artikulli i Bloomberg fillon duke thënë: “Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pasi kryeministri Albin Kurti nuk arriti të sigurojë vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri të re të dielën.”
“Ligjvënësit u takuan gjatë orëve të fundit të afatit për të ngritur një qeveri të re, por Kurti nuk arriti të fitonte miratimin parlamentar për kabinetin e tij të propozuar,” shkruan Bloomberg.
Gjithashtu, edhe TRT World drejton gishtin nga Kurti për mosarritjen e formimit të qeverisë.
“Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të mjaftueshme parlamentare për të formuar një qeveri, duke thelluar krizën politike disamujore të vendit. Partia Vetëvendosje (VV) e Kurtit siguroi vetëm 56 vota, më pak se 61 vendet e nevojshme për një qeveri, duke e lënë vendin pa një administratë të qëndrueshme pothuajse nëntë muaj pas zgjedhjeve,” shkruan mediumi shtetëror turk.
Edhe TRT thekson se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare nëse nuk formohet një qeveri edhe nga partitë e tjera, përveç të parës që është Lëvizja Vetëvendosje.

