Gjeorgjia arreston tre kinezë, tentuan të blejnë uranium për ta dërguar përmes Rusisë në Kinë
Tre shtetas kinezë janë arrestuar në Gjeorgji nën dyshimet se kanë tentuar ilegalisht të blejnë dy kilogramë uranium.
Shërbimi i Sigurisë Shtetërore (SSG) të Gjeorgjisë publikoi pamjet ku ushtarë të armatosur sulmojnë një makinë dhe ndalojnë tre individë. Ato gjithashtu tregojnë dy kavanoza qelqi që përmbajnë një substancë të verdhë në bagazhin e një makine, të cilat testet e identifikojnë si uranium.
Nuk dihet se çfarë izotopi uraniumi dyshohet se kanë kërkuar burrat, megjithëse të gjithë mund të lëshojnë rrezatim të dëmshëm.
Lasha Maghradze, zëvendësdrejtor i SSG-së, tha për media se kinezët e kapur planifikonin të paguanin 400 mijë dollarë në Tbilisi, përpara se ta transportonin uraniumin e blerë në Kinë nëpërmjet Rusisë.
“Komploti i dyshuar u zbulua nga agjentët e inteligjencës ndërsa një anëtar i grupit po përpiqej të blinte substancën radioaktive në tregun e zi”, tha ai, duke shtuar se operacioni po koordinohej nga anëtarë të tjerë të grupit në Kinë.
Tre shtetasit e arrestuar kinezë u deklaruan të pafajshëm në një gjykatë në Tbilisi dhe janë vendosur në paraburgim, sipas Georgia Today.
Ata përballen me deri në pesë vjet burg sipas një dispozite të kodit penal të Gjeorgjisë që ndalon blerjen e materialit bërthamor.
Në korrik 2025, SSG arrestoi një shtetas gjeorgjian dhe një turk, të cilët po tentonin të tregtonin uranium në vlerë tre milionë dollarë.
Gjeorgjia ka rezerva të materialeve bërthamore pas rënies së ish-bllokut sovjetik në vitin 1991 dhe siguria e tyre ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm./KP

