Alarmon eksperti Shatri: Rrezik që çdo gjëje do t’i vihet dryri
Mospajtimet politike dhe dështimi për të formuar qeverinë e re si dhe kompetencat e qeverisë në detyrë, mund të shkaktojnë pezullim të pagesave publike.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, për Indeksonline ka shpjeguar procedurat mbi mënyrën se si ekzekutohen pagesat në rast se vendi hyn në vitin e ri pa Ligj të buxhetit për vitin e ardhshëm.
“Sipas ligjit aktual, kjo qeveri nuk ka të drejtë të propozojë ndryshim të Ligjit për buxhetin. Procedurat e ndryshimit të tij janë të njëjta sikur të propozohej një ligj i ri”, ka thënë Shatri.
Shatri shprehet se shqetësimi më i madh është se kuvendi aktual mbetet i paqartë nëse konsiderohet plotësisht i konstituuar dhe funksional, çka e komplikon edhe më tepër procesin.
“Pas dy muajsh rrezikojmë bllokim total të institucioneve shtetërore nëse nuk gjendet zgjidhje dhe nuk votohet një qeveri e re me kompetenca të plota. Pa buxhet nuk do të ketë rroga, pensione, as shpenzime të domosdoshme për institucionet publike. Çdo gjëje i vihet dryni. Dikush mund të punojë edhe pa para”, tha Shatri.
Ai ka shtuar se, ndonëse teknikisht mund të gjendet një zgjidhje emergjente, ajo do të përbënte shkelje të rregullave, për sa kohë nuk ka kush të marrë përgjegjësinë.
“Ndoshta, nëse kuvendi pajtohet me shumicë votash, mund t’i japë qeverisë kompetencë për të propozuar një zgjidhje të përkohshme për muajin e parë të vitit të ardhshëm, derisa të zgjidhet situata./Indeksonline/

