Supremja pranon ankesat e kandidatëve për asamblistë Gentiana Bajrami- Atashi dhe Blerim Krasniqi, prishen vendimet e PZAP-së
Kolegji i Gjykatës Supreme i ka pranuar ankesat kandidatëve për Asamble Komunale, Gentiana Bajrami Atashi, nga subjekti politik: Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Blerim Krasniqi, nga subjekti politik: Nisma Socialdemokrate, dhe ka prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kthyer çështjet në PZAP, në rivendosje.
Pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Gentiana Bajrami Atashi, për shkak të mungesës së votave, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës të mbajtura me datën 12 Tetor 2025, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në qendrat ku janë evidentuar mospërputhje.
Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e çështjes nuk e pranoi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidatja.
Kolegji i Gjykatës Supreme vlerëson se PZAP, me rastin e shqyrtimit të ankesës nuk ka vepruar në pajtim me nenin 117 [Procedurat e PZAP-së] par.4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku përcaktohet se: “PZAP-ja mund të urdhëroj rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar”, si dhe nenin 15 [Zhvillimi i Hetimeve të Materialit Zgjedhor] par.3, pika 3.1 të Rregullores 01/2025 për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, ku përcaktohet se: “3. Duke u bazuar në ankesat e paraqitura për shkeljet e supozuara në QNR, QKN, PZAP-i, mund t’i kryej këto hetime: 3.1 hetimi i kutisë së votimit”.
Ngjashëm PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, lidhur me parregullsitë gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit për Zgjedhjet Lokale, të mbajtura më datë 12 Tetor 2025. Ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që e njëjta të miratohet, “bazuar në gjendjen faktike dhe në dispozita ligjore”.
Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme gjeti se PZAP, gabimisht ka vendosur ta refuzojë ankesën e parashtruar, duke argumentuar mes tjerash se “nuk mund të anashkalohet fakti i dëshmive që janë në dosjen e lëndës, sepse në proces zgjedhor dëshmi tjera palët nuk kanë mundësi të sigurojnë, për shkak të pamundësisë së qasjes në Qendrën e Numërimit”.
Kolegji i Gjykatës Supreme konsideron se mes tjerash të metat e evidentuara janë të atij karakteri që e bëjnë të pamundur që Gjykata Supreme të vendos ndryshe, “për faktin se me nenin 117 të LZP-së, është në kompetencë të PZAP-it, që gjatë vendosjes për një ankesë të shqyrtojë dhe hetojë të gjitha dëshmitë relevante, andaj në rastin konkret është dashur që të siguroj dhe hetoj materialin zgjedhor, veçanërisht kutitë e votimit, që nënkupton vërtetimin e dëshmive që paraqesin provë të rëndësishme për të vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor në secilën qendër votimi të pretenduar”.
Në rivendosje, për të dy rastet, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë pretendimet ankimore të ankuesve, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse dhe të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor dhe secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe mos të ketë devijim të vullnetit të qytetarëve.
Linqet e vendimeve të publikuara, AA.nr.97/2025 dhe AA.nr.98/2025:
https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_98_2025_SQ.pdf

