75 Mall Live Search
17:18 / E Hënë, 27 Tetor 2025 / F.R

Kurti: Kuvendi nuk arriti të zgjedhë qeveri të re, partitë refuzuan bashkëqeverisjen

Një ditë pas dështimit për t’u ribërë kryeministër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë për media, ku ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.

Kurti deklaroi se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme, Kuvendi nuk arriti të zgjedhë qeverinë e re.

“Kuvendi nuk arriti të zgjedhë qeveri të re, përkundër tentimeve të disahershme shteruese dhe gatishmërisë sonë të hapur e të sinqertë. Përpjekjet për ndërtimin e një shumice nuk e dhanë rezultatin që e synuam,” tha Kurti.

Ai bëri të ditur se asnjëra nga partitë politike të cilave u është bërë ftesë, nuk ka pranuar të bëjë marrëveshje për bashkëqeverisje.

“I bëmë ftesë dy herë LDK-së, dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën. LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë,” tha Kurti./IndeksOnline/