75 Mall Live Search
16:01 / E Martë, 28 Tetor 2025 / BA

Forcat amerikane sulmojnë katër anije në Paqësor të dyshuara për trafik droge, humbin jetën 14 persona

Forcat amerikane kanë vrarë 14 persona në sulmet ndaj katër anijeve të dyshuara për trafik droge në Oqeanin Paqësor, ka deklaruar Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Ai tha se një person ka mbijetuar dhe është shpëtuar nga autoritetet meksikane të kërkim-shpëtimit.

Ky është sulmi më i fundit në një seri goditjesh ndaj anijeve që SHBA pretendon se kanë transportuar drogë, si në Paqësor ashtu edhe në Karaibe.
Sulmet e fundit në pjesën lindore të Paqësorit, të cilat Hegseth tha se ndodhën të hënën me urdhër të Presidentit Donald Trump, përbëjnë një përshkallëzim të fushatës që, sipas SHBA-së, synon trafikantët e drogës.

Të paktën 51 persona janë vrarë deri tani në këto sulme, të cilat kanë shkaktuar tensione të shtuara midis SHBA-së dhe qeverive të Kolumbisë dhe Venezuelës.

Shumica e tyre kanë ndodhur pranë brigjeve të Amerikës së Jugut, në Karaibe, por kohët e fundit janë kryer edhe në Oqeanin Paqësor.

Sulmet amerikane kanë shkaktuar dënime të ashpra në rajon, ndërsa ekspertët kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre. Anëtarë të Kongresit amerikan, si demokratë ashtu edhe republikanë, kanë shprehur shqetësime dhe kanë vënë në pikëpyetje autoritetin e presidentit për t’i urdhëruar ato.

Në një deklaratë në rrjetin X, Hegseth tha se katër anijet e goditura të hënën “ishin të njohura nga shërbimet tona të inteligjencës, po lundronin përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të narkotikëve dhe po transportonin lëndë narkotike.”

Hegseth shtoi se tetë “narko-terroristë” u vranë në sulmin e parë, ndërsa katër dhe tre të tjerë në dy sulmet pasuese.

Një person mbijetoi nga sulmet. Sipas Hegseth, autoritetet meksikane të kërkim-shpëtimit “e morën përsipër rastin dhe asumuan përgjegjësinë për koordinimin e shpëtimit.”
Gjendja e të mbijetuarit apo vendndodhja e tij aktuale mbetet e paqartë.

“Departamenti ka kaluar mbi dy dekada duke mbrojtur atdhe të tjerë,” shkroi Hegseth. “Tani, po mbrojmë tonin.”