75 Mall Live Search
16:20 / E Martë, 28 Tetor 2025 / MSH

Oda Amerikane takohet me udhëheqësit e institucioneve ligjore, diskutohet sundimi i ligjit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë zhvilloi një takim me ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, për të diskutuar lidhur me përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë juridike për investitorët.

U.d. kryeprokurori i Shtetit, Kelmendi dhe kryesuesi i KGJK-së, Zogaj, folën për përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e sundimit të ligjit, trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me sigurinë në punë dhe luftimin e veprave penale kundër ekonomisë, veçanërisht luftimin e korrupsionit në sektorin privat,  rritjen e transparencës të sistemit të drejtësisë dhe sigurimin e zgjidhjes së drejtë dhe në kohë të rasteve në prokurori dhe gjykatë. Ata shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Odën Amerikane përmes kanaleve formale të komunikimit. Krejt në fund, ata inkurajuan bizneset dhe qytetarët që të përdorin mekanizmat zyrtarë për raportimin e çështjeve dhe shqetësimeve të tyre, duke theksuar angazhimin institucional në trajtimin sa më të drejtë dhe efikas të rasteve që bien në kompetencë të tyre.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se Oda Amerikane ka qenë dhe mbetet një promovuese e vazhdueshme e sundimit të ligjit si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe klimë të besueshme investimi. Ndërkaq, Korab Sejdiu, Kryesues i Komitetit të Shërbimeve Financiare dhe Klimës Investuese të Odës Amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të rasteve specifike që kërkojnë vëmendjen e institucioneve të drejtësisë, si një mënyrë për të ndërtuar besim më të madh në sistem dhe për të përmirësuar perceptimin e përgjithshëm të klimës së sundimit të ligjit në vend.

Gjatë diskutimit, përfaqësuesit e sektorit privat shprehën shqetësimet e tyre lidhur me aspekte të ndryshme të funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe ndikimin e tij në mjedisin e biznesit. Oda Amerikane rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të mbështetur nisma që synojnë forcimin e sundimit të ligjit, promovimin e llogaridhënies dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në vend. Gjatë takimit u vlerësua gjithashtu edhe progresi i arritur ndër vite nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, si një nxitje për vazhdimin e përparimit në forcimin e sundimit të ligjit dhe ndërtimin e besimit të komunitetit të biznesit.