75 Mall Live Search
09:31 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / KV

Me kërkesë të prokurorit, anulohet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e shtetases argjentinase, në Fushë-Kosovë

Me kërkesë të prokurorit të rastit Armend Hamiti, është anuluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë.

Anulimi i seancës u konfirmua nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Gazmend Bahtiri, ku u tha se prokurori Hamiti kërkoi anulimin e seancës për arsye personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te vendparkimi jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privonte nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga nuk ka pasur mundësi të largohej dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale; “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit penal.