75 Mall Live Search
11:03 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / F.R

Dëshmia e Kadri Brahimit në rastin e 400 kg drogë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj Izet Sheqirit, Kadri Sheqirit, Faton Vrajollit, Kadri Brahimit dhe Fehmi Bytyçit, të akuzuar për rastin e 400 kilogramëve narkotikë, që u gjetën në Lipjan.

I stresuar, para trupit gjykues nisi dëshminë i dyshuari Kadri Brahimi.

“Kam nisur punën në “MC FOOD” ndër të parët, në vitin 2012-2013. Isha i angazhuar me pozitën “punëtor i thjeshtë” – në oborr. S’kam pasë detyrë të caktuar, çkado që ka pasë nevojë: naj paletë, naj paketë…” tha ai.

Brahimi pohoi se pozita e tij në kompani ndryshoi nga mesi i vitit 2015, kur u promovua në detyrën e depoistit kryesor.

“Prej fillimit 2015-s, e deri kur ka ndodhë rasti jam kanë depoist kryesor. E kam pasë detyrë numërimin të ardhjes dhe daljes së mallit. Për proceset e mallit, përgjegjës janë punëtorët, por edhe unë jam në gjendje gatishmërie për t’i ndihmuar, p.sh. në shkarkim. Por, ndihmën e jap vetëm jashtë frizave”, shtoi Brahimi.

Brahimi sqaroi në detaje, hap pas hapi, procesin e arritjes së mallit dhe procedurave që ndërmerr kompania.

“I verifikojmë kodet. Ne e kemi të ndalume prej AUV-it me i hap paketat, për shkak të ndryshimit të datave ose mundësisë për me bo dallavere… sepse e ka një tiketë që kur të hapet nuk mund të paketohet prapë prej fillimit”,

I pyetur se përse në ditën kritike i ndau paketimet në dy grupe gjatë shkarkimit, Kadri Brahimi u shpreh: “Sepse malli ka pasë dy barkode. 82-shi dhe 101-shi nëse nuk gaboj. Numërohen ndryshe”.

Gjykatën ai e njoftoi për lajmërimin që i bëri shefit, kur pa se një pjesë e mallit mungon.

“Nuk guxoj me nënshkru dokumentin që është me minus, se i bie që unë jam hajdut, që une kam vjedhë. Dikë duhet me lajmëru. Nëse nuk vepron kështu, rrezikon me humbë vendin e punës. E kam pasë gjendjen e rëndë ekonomike, e kam mbajtë familjen 5-anëtarëshe dhe s’kam rreziku me e humbë vendin e punës”, deklaroi Kadri Brahimi.

Ai bëri me dije se nuk e ka obligim të hyjë te frigoriferët ku mbahet malli, teksa pohoi se në njërin korridor zbrazet malli, ndërsa në tjetrin bëhet ngarkimi. Aty janë tri kamera që monitorojnë këtë segment.

Kadri Brahimi, sipas aktakuzës, paletën me substancë narkotike, me qëllim të mosidentifikimit, e ka ndarë në një pjesë të veçantë.

“Nuk është e vërtetë që kam vepru kështu. Ju e keni pa edhe në video që janë procedura të njëjta. Unë këtu në seanca kam dëgju që kamerat kanë marrë pamje 20 giga. Nëse veç një milimetër ka lëvizë diçka, mbaj përgjegjësi”, tha ai, duke shtuar se është i vetmi punëtor që posedon çelësin e deposë dhe kodin e alarmit të saj. 

“Prej kur më ka urdhëru policia, shihet në kamera, nuk kam lëvizë fare. Më kanë rrah si qenin edhe s’kam lëvizë, mundeni me pa edhe vet” deklaroi Brahimi.

Përmes disa forografive të dhuruara si dëshmi, Kadri Brahimi thotë se ka dashur të faktojë se nuk është kriminel, ka kushte të rënda ekonomike dhe shtëpia e tij rrezikon të shëmbet.

Dëshmia e tij po vazhdon…

Kujtojmë se të dyshuarit akuzohen se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA”, për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por sipas prokurorisë në to ishin vendosur substanca narkotike.

Rasti ndodhi në maj të 2021-s./IndeksOnline/