Maliqi reagon pas vendimit të Gjykatës Supreme: Ndalimi i shamisë në shkolla është diskriminues dhe bie ndesh me Kushtetutën
 
				Pas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila konfirmoi kompetencën e MASHTII-t për të përcaktuar rregullat mbi uniformën shkollore, ka reaguar imami i Prishtinës dhe drejtori ekzekutiv i “Kosovo Center for Peace”, Labinot Maliqi.
Në reagimin e tij publik, Maliqi thekson se ndonëse vendimi është formalisht i vlefshëm, ai mbetet thellësisht i diskutueshëm në raport me të drejtat themelore të njeriut dhe parimin e barazisë.
“Ministria e Arsimit ka autoritet ligjor për të përcaktuar uniformën, por jo për të kufizuar bindjet fetare të nxënësve. Shamia me fytyrë të dukshme nuk është pjesë e uniformës shkollore, as nuk e zëvendëson atë ajo është shprehje e lirë e besimit individual”, ka theksuar Maliqi.
Ai ka shtuar se nxënëset me mbulesë gjithmonë kanë respektuar uniformën dhe rregullat e shkollës, ndërsa ndalimi i shamisë është shndërruar në mjet përjashtimi dhe diskriminimi ndaj vajzave besimtare.
Sipas tij, Udhëzimi administrativ Nr. 06/2014 ka krijuar konfuzion dhe ka hapur rrugë për interpretime arbitrare, pasi nuk e përkufizon qartë termin uniformë fetare.
“Në fenë islame, shamia nuk është uniformë apo simbol, por normë fetare. Zbatimi selektiv i kësaj dispozite ka prodhuar diskriminim, stigmatizim dhe përjashtim të vajzave me mbulesë”, ka shkruar Maliqi./IndeksOnline/


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                