Flamuri i Kosovës valon në mesin e mbi 190 shteteve në ceremoninë e hapjes së First Global Challenge 2025 në Panama
Në një atmosferë madhështore, mes flamujve të mbi 190 shteteve dhe duartrokitjeve të mijëra pjesëmarrësve nga e gjithë bota, flamuri i Kosovës u valëvit me krenari në ceremoninë e hapjes së First Global Challenge 2025 në Panama. Ky është momenti kur rinia e Kosovës, përmes ekipit First Kosovo, hyn në arenën botërore të inovacionit, teknologjisë dhe kreativitetit.
Në këtë ngjarje madhështore, ekipi përfaqësues i Kosovës – First Kosovo, i përbërë nga të rinj të talentuar që janë përgatitur me muaj në laboratorët e UBT-së, do të garojë për të treguar kreativitetin, dijen dhe shpirtin inovativ të rinisë kosovare. Ata do të përfaqësojnë Kosovën në një nga garat më të rëndësishme botërore në fushën e robotikës dhe teknologjisë.
Tema e sivjetshme e garës, “Biodiversiteti dhe ndryshimet klimatike”, synon të nxisë të rinjtë të krijojnë zgjidhje teknologjike që ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e jetës në planetin tonë.
UBT, si partneri institucional që ka mbështetur këtë iniciativë që nga fillimi, është vlerësuar më herët me medalje të artë ndërkombëtare për kontributin e jashtëzakonshëm në promovimin e edukimit STEM dhe pjesëmarrjen e suksesshme të ekipeve kosovare në garat globale të robotikës.
Në këtë garë të dijes dhe inovacionit, të rinjtë e Kosovës po e bëjnë vendin tonë të njihet si një forcë e re kreative në hartën teknologjike botërore.

