I akuzuari Brahimi në rastin e kokainës: Po të mos kishte ndërhyrë policia, malli do të shpërndahej në gjithë Kosovën
Në vazhdimin e seancës gjyqësore për rastin e 400 kilogramëve kokainë të gjetura në produktet e pulës së ngrirë të kompanisë “MC FOOD”, i akuzuari Kadri Brahimi gjatë mbrojtjes së tij është pyetur nga avokati Florent Latifaj, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Izet Sheqiri, pronar i kompanisë. Brahimi ka deklaruar se Sheqiri nuk ka pasur asnjë interesim për kamionët që sillnin mallin.
“Izet Sheqiri kurrë nuk ka qenë i interesuar për ndonjë kamion”, tha Brahimi gjatë seancës.
Avokati Latifaj e pyeti më tej se çfarë do të ndodhte me mallin nëse policia nuk do të kishte ndërhyrë.
Në përgjigjen e tij, Brahimi tha se produktet do të shpërndaheshin në treg në të gjithë Kosovën.
“Ai mall, mos me hy policia dhe mu palu nëpër depo, ka pasur mundësi që të shkojë nëpër markete e krejt Kosovës, sepse ne paketat nuk i hapim. Mua nuk më intereson se çfarë ka brenda saj, sepse unë merrem me çështjen e barkodeve dhe faturës. Në atë minutë që del nga depoja, unë nuk jap përgjegjësi për atë”, tha ai.
Në këtë rast, Prokuroria po akuzon pesë persona – Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Faton Vrajollin, Kadri Brahimin dhe Fehmi Bytyçin – se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë braziliane “SEARA” për import të produkteve të mishit të pulës së ngrirë, brenda të cilave ishte gjetur substancë narkotike e llojit kokainë në sasi prej 400 kilogramësh.

