S’ka pajtueshmëri, dështon themelimi i komisioneve parlamentare
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të enjten të themelojë komisionet parlamentare. Në mbledhjen e parë të Kryesisë pas konstituimit të legjislaturës së nëntë, partitë parlamentare nuk u pajtuan për funksionalizimin e trupave të Kuvendit pa formimin e qeverisë së re.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat ndodhet vendi, e ka parë të nevojshme funksionalizimin e Kuvendit, pavarësisht mos formimit të qeverisë së re.
Ai theksoi se bindja e tij është se themelimi i komisioneve parlamentare s’ka asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese përkundër mos formimit të qeverisë së re.
Madje, Basha para mediave tha se kishte planifikuar që nesër të thërrasë seancë të jashtëzakonshme, pasi po rrezikohet buxheti për RTK-në, buxheti shtetëror 2026, si dhe buxheti për 2025 për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun.
Përkundër këtyre, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se nuk mund të themelohen komisionet parlamentare pa u formuar qeveria e re.
Ajo tha se aktualisht në Kosovë s’ka shumicë parlamentare dhe se nuk dihet se kush është pozita dhe kush opozita, andaj seanca e vetme që mund të thirret është ajo për votimin ose jo të qeverisë së re, e jo votimin e çfarëdo projektligji.
Por këto deklarata, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, i quajti qasje destruktive.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e LDK-së nuk u deklaruan për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit./Indeksonline/

