75 Mall Live Search
21:44 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / F.R

Limaj: Nëse s’ka mandatar të shumicës, shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin “RTK Prime” ka deklaruar se vendi tashmë është futur në fazën ligjore që kërkon respektimin e procedurave pas dështimit të krijimit të qeverisë.

“Tashmë jemi futur në fazën ligjore që duhet të respektohen procedurat, është një takim që presidenten e detyron ligji të na ftoj pas dështimit të krijimit të qeverisë. Ashtu siç e thotë ligji, presidentja ka dhjetë ditë që t’ia jap mundësinë mandatarit të dytë dhe në këtë fazë presidentja fton partitë politike për t’u konsultuar dhe për të parë a ka mundësi dhe potencial që dikush nga forcat politike që janë në parlament të ketë shumicën për të ofruar një mandatar të ri për zgjedhjen e qeverisë”, tha Limaj.

Ai shtoi se ky është një takim procedural, ku partive politike u jepet rasti të dëshmojnë nëse kanë mundësi të ofrojnë një mandatar me shumicën e votave. “Nëse jo, atëherë kalojmë në një fazë tjetër ku bëhet konsultimi me presidenten për të caktuar datën e zgjedhjeve”, theksoi Limaj.

Ai tutje tha se vota e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme, si votë totale ka qenë e orientuar drejt një qeverie nga opozita dhe se ai ka pasur dëshirë që t’i ofrohet Kosovës një qeveri që vjen nga opozita.

Duke folur për negociatat me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti rreth partneritetit të mundshëm, Limaj theksoi se qëndrimi i tij ka qenë që mos të marrë pjesë në qeverisje, por të ketë vetë partneritet në Kuvend.

“Unë ndërtoj qëndrime politike dal nga dal dhe të pjekura dhe e di ku i bëjë më shumë shërbim vendit tim, në fazën e caktuar. Ne kemi nevojë për t’i përafruar qëndrimet në një qeverisje. Nëse nuk e shoh veten që nuk mundem me dhënë kontributin për vendin tim nuk është mirë të shkojë ta pengoj partnerin ose mos t’i shërbej vendit, kjo është arsyeja kryesore”, tha Limaj.