Nis seanca në GJK-së për ankimimin e Veliajt për shkarkimin si kryebashkiak
 
				Ka nisur mbledhja e Gjyaktës Kushtetuese për ankimimin e Veliajt për shkarkimin si kryebashkiak.
Ka nisur fjalën e saj kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës Erion Veliaj ka mbërritur nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatën Kushtetuese.
Seanca publike ka relatore Sonila Bejtjan ku do të përballet me qeverinë dhe presidencën për shkarkimin e propozuar.
Më 25 shtator, Këshilli i Ministrave miratoi me 50 vota pro vendimin për shkarkimin e Veliajt, pas propozimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke u mbështetur në nenin 62, pika c, të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili parashikon largimin nga detyra në rast të mungesës për më shumë se tre muaj pa arsye të justifikuar.
Pak ditë më pas, më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, por edhe ky dekret u ankimos nga Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi pezullimin e tij deri në përfundimin e shqyrtimit të çështjes kryesore.
Në ankimimin e paraqitur, Veliaj argumenton se neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë ligjore për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të ndërmarrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës apo të ligjeve, dhe vetëm pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë. Ai thekson se mungesa në detyrë ka ardhur për “arsye objektive”, për shkak të ndalimit të tij me urdhër të SPAK.
Nga ana tjetër, qeveria mbron qëndrimin se Veliaj nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi i shkarkimit është marrë mbi bazën e ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe jo të Kushtetutës, duke e bërë kështu Gjykatën Administrative organin kompetent për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit, nën akuzën e korrupsionit në nëntë raste. Bashkë me të është vënë nën hetim edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Në total, ndaj ish-kryebashkiakut rëndojnë pesë akuza penale, përfshirë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.


 
											 
											 
											 
											 
											 
											 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                 
                                