Kryeministri kanadez i kërkon falje Trumpit

Kryeministri kanadez Mark Carney tha se i ka kërkuar falje Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një reklamë anti-tarifore ku ishte përdorur një citat i Ronald Reaganit.
Javën e kaluar, në përgjigje të reklamës, Trump pezulloi bisedimet tregtare me Kanadanë dhe tha se do të vendoste një tarifë shtesë prej 10% për importet kanadeze, shkruan BBC.
“I kërkova falje presidentit”, u tha Carney gazetarëve në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Korenë e Jugut.
Reklama përdori një seri klipesh nga fjalimi i ish-presidentit Reagan, në radion kombëtare të vitit 1987, në të cilin ai argumentoi se tarifat do të dëmtonin ekonominë e Amerikës.
Carney tha se reklama, e cila u financua nga provinca e Ontarios, ishte “diçka që nuk do ta kishte bërë” dhe shtoi se Trumpi u “ofendua” prej saj.
Trump tha të premten se Carney i kishte kërkuar falje dhe shtoi se të dy kishin një marrëdhënie “shumë të mirë”.
SHBA-të kanë një tarifë prej 35% për mallrat kanadeze, megjithëse shumica janë të përjashtuara sipas një marrëveshjeje ekzistuese të tregtisë së lirë. Megjithatë, disa sektorë kanë tarifa të veçanta, duke përfshirë 50% për çelikun dhe aluminin dhe 25% për automobilat.
Trump këtë javë akuzoi Kanadanë se po përdor reklamën për të ndërhyrë në një çështje të ardhshme në Gjykatën Supreme të SHBA-së, e cila do të gjykojë nëse tarifat gjithëpërfshirëse të presidentit ndaj Kanadasë, Meksikës, Kinës dhe dhjetëra vendeve të tjera janë të ligjshme.