75 Mall Live Search
23:01 / E Shtunë, 01 Nëntor 2025 / MSH

WhatsApp-i prezanton mbrojtjen “passkey”

WhatsApp vazhdon të përmirësojë sigurinë e përdoruesve, dhe së shpejti aplikacioni do të ofrojë mundësinë e përdorimit të autentifikimit me passkey për të mbrojtur kopjet rezervë të bisedave.

Ky funksion i ri i lejon përdoruesve të mbrojnë kopjet e tyre rezervë duke përdorur të dhëna biometrike (si gjurmët e gishtërinjve ose njohjen e fytyrës), si dhe PIN-in e pajisjes, duke eliminuar nevojën për të mbajtur mend fjalëkalime komplekse ose çelësa 64-shifrorë që deri tani përdoreshin për enkriptimin e të dhënave.

Funksioni do të jetë i disponueshëm në platformat Android dhe iOS gjatë javëve në vijim, dhe implementimi do të bëhet gradualisht, sipas rajoneve. WhatsApp tashmë mbështet autentifikimin me passkey gjatë hyrjes në llogari, dhe zgjerimi i këtij funksioni për kopjet rezervë përfaqëson hapat e ardhshëm drejt një sistemi sigurie pa fjalëkalime.

Kur të aktivizohet, përdoruesit do të mund të qasen tek kopjet e tyre rezervë thjesht përmes biometrisë ose PIN-it, pa kompromentuar sigurinë.

Në këtë mënyrë, WhatsApp synon të thjeshtësojë procesin e rikuperimit të të dhënave dhe të reduktojë rrezikun e keqpërdorimit të fjalëkalimeve.

Nga Meta theksojnë se qëllimi është që përdoruesit të kenë më shumë kontroll mbi të dhënat e tyre dhe që siguria të mbetet prioritet kyç.