75 Mall Live Search
10:48 / E Diele, 02 Nëntor 2025 / Gj Sh

Amir Rrahmani reagon pas rikthimit nga lëndimi

Qendërmbrojtësi i kombëtares së Kosovës dhe Napolit, Amir Rrahmani është rikthyer në aksion, pas një lëndimi që e mbajti jashtë fushave për pothuajse dy muaj.

Kapiteni i Kosovës u lëndua në ndeshjen ndaj Zvicrës më 5 shtator, dhe i mungoi Napolit dhe kombëtares dardane që nga ajo ditë.

Rrahmani e nisi nga fillimi ndeshjen ndaj Comos, pasi paraprakisht kishte qenë në bankën rezervë ndaj Pisas dhe Lecces.

Qendërmbrojtësi i kompletoi tërë 90 minutat në barazimin ndaj Comos.

Pas ndeshjes, Amir Rrahmani ka ‘reaguar’ me një postim në rrjetin social “Instagram”.

Ai ka shkruar shkurtimisht: “Të rikthehesh është gjithmonë si të rilindësh”, së bashku me disa foto të tij të ndeshjes.

Në ndeshje, Rrahmani ishte ndër më të mirët në fushë.

Ai pati një saktësi të pasimeve prej 88%, kishte një top të gjatë të saktë, fitoi dy ndërhyrje, bëri dy ‘bllokada’, pati tri spastrime, katër herë rikuperoi topin dhe fitoi nëntë duele nga 11-të të tilla.

Amir Rrahmani me shumë gjasë do të jetë një nga emrat që selektori i kombëtares së Kosovës do ta ftojë për ndeshjen e nëntorit, që Kosova i luan në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e 2026-ës.

Kosova luan fillimisht ndaj Sllovenisë më 15 nëntor, teksa e pret Zvicrën më 18 nëntor në Prishtinë.