Konfirmohet koalicioni LDK–PDK në Prizren
Siç kishte raportuar më herët IndeksOnline, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku në balotazhin për komunën e Prizrenit.
Koalicioni tashmë është zyrtarizuar përmes një postimi të kryetarit aktual të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili konfirmoi bashkëpunimin me LDK-në për raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë,” ka shkruar Totaj në Facebook.
Ai ka falënderuar kryetarin e degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, për mbështetjen, duke shtuar se “rrugëtimi i përbashkët +4 për Prizrenin është për të mirën e qytetit.”
Me këtë marrëveshje, LDK dhe PDK do të përballen së bashku me kandidatin e Vetëvendosjes, Artan Abrashin, në balotazhin që do të mbahet më 9 nëntor./IndeksOnline/

