75 Mall Live Search
22:12 / E Diele, 02 Nëntor 2025 / F.R

“Ka kaluar koha e 7-ve jackpot”, Shehu akuza Kuçit

Kryetari aktual i Komunës së Junikut dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu, ka reaguar ashpër ndaj kandidatit të AAK-së, Agron Kuçi, duke e akuzuar për keqmenaxhim dhe kontrata të dyshimta gjatë kohës sa kishte drejtuar komunën.

Në një postim në Facebook, Shehu ka publikuar detaje për një kontratë të nënshkruar në vitin 2019 me vlerë 777,777.77 euro, që sipas tij përfaqëson “jackpotin e bixhozit”, shkruan IndeksOnline.

“Në kohën e qeverisjes së kaluar është nënshkruar kontrata ‘Ndërtimi i Qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes’. Projekti nuk është përfunduar kurrë dhe prona ku është ndërtuar objekti është në kontest pronësor,” ka shkruar Shehu.

Ai shton se kjo kontratë është trajtuar edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ku është konstatuar se ishte nënshkruar me 612 mijë euro më shumë se vlera e planifikuar.

“Vetëm një tabelë informuese është paguar rreth 20 mijë euro, ndonëse kostoja reale do të duhej të ishte 200 ose 300 euro. Ky është dallimi në mes të LDK-së dhe AAK-së në Junik,” ka theksuar Shehu./IndeksOnline/