75 Mall Live Search
09:31 / E Hënë, 03 Nëntor 2025 / Z S

Drejtori i FBI-së shkakton polemikë për përdorimin e avionit qeveritar, shkarkohet zyrtari i lartë

Një zyrtar i lartë i FBI-së, Steven Palmer, është shkarkuar pasi drejtori i Byrosë, Kash Patel, është irrituar nga raportimet se ai kishte përdorur një avion qeveritar për të ndjekur të dashurën e tij, këngëtaren Alexis Wilkins, në një event sportiv. Palmer, me 27 vite përvojë në FBI dhe drejtues i njësisë për reagim ndaj ngjarjeve kritike, është i treti që humb postin nën drejtimin e Patel-it.

Sipas “Bloomberg Law”, Patel është zemëruar nga publikimet që ekspozuan përdorimin e avionit për udhëtime personale, ndërsa më vonë ka mohuar akuzat duke i quajtur “thashetheme të pabazuara”.

Zëdhënësi i tij ka theksuar se drejtori paguan për udhëtimet private, por kritikët e akuzojnë për hipokrizi, pasi më herët ai vetë kishte dënuar ish-drejtorët për të njëjtën praktikë.

Ngjarja ndodh mes një mbylljeje të gjatë të qeverisë amerikane dhe mes kritikave të reja ndaj Patel-it për deklarata të paqarta mbi një rast të supozuar terrorizmi në Michigan./Indeksonline