Uria përhapet në dy rajone të tjera të Sudanit të shkatërruar nga lufta
				Uria ka përfshirë dy rajone të Sudanit të shkatërruar nga lufta, përfshirë një qytet të madh në Darfur, ku luftëtarët paraushtarakë kanë kryer sulme të ashpra, ka njoftuar të hënën një grup global për monitorimin e urisë. Lufta ka shkaktuar një nga katastrofat më të mëdha humanitare në botë.
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC), autoriteti kryesor ndërkombëtar për krizat e urisë, ka konfirmuar se uria është evidentuar në el-Fasher në Darfur dhe në qytetin Kadugli në provincën Kordofan Jugor.
Sipas IPC-së, 20 zona të tjera në Darfur dhe Kordofan, ku luftimet janë intensifikuar në muajt e fundit, janë gjithashtu në rrezik nga uria, raporton AP.
El-Fasher kishte qenë nën rrethim nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) për 18 muaj, duke ndërprerë furnizimin me ushqime dhe materiale të tjera për dhjetëra mijëra njerëz. Javën e kaluar, luftëtarët e RSF-së kanë pushtuar qytetin, duke nisur sulme që vranë qindra persona, megjithëse shkalla e dhunës mbetet e paqartë për shkak të komunikimeve të dobëta.
Edhe qyteti i Kaduglit ka qenë i rrethuar nga RSF-ja për muaj të tërë, me dhjetëra mijëra njerëz të bllokuar, ndërsa grupi paraushtarak përpiqet të zgjerojë kontrollin mbi territore nga ushtria sudaneze.
Lufta ka shkatërruar Sudanin që nga prilli i vitit 2023, duke shkaktuar më shumë se 40,000 viktima, sipas OKB-së, ndërkohë që grupet humanitare paralajmërojnë se numri i vërtetë mund të jetë shumë herë më i lartë.
Konflikti ka detyruar më shumë se 14 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ka nxitur shpërthime sëmundjesh në zonat e përfshira.

