Ky është vendi i parë që ndalon përdorimin e duhanit për një brez të tërë
Maldivet janë bërë vendi i vetëm në botë që ka vendosur një ndalim të plotë të duhanit për të gjitha brezat e rinj, duke i ndaluar çdo person të lindur pas 1 janarit 2007 të blejë apo përdorë produkte duhani, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.
Iniciativa, e miratuar nga presidenti Mohamed Muizzu në fillim të këtij viti dhe që hyn në fuqi më 1 nëntor, ka për qëllim “të mbrojë shëndetin publik dhe të krijojë një brez pa duhan.”
Sipas ministrisë, “çdo person i lindur më 1 janar 2007 ose pas kësaj date ndalohet të blejë, përdorë apo shesë produkte duhani në Maldive.” Ndalimi përfshin të gjitha format e duhanit dhe shitësit janë të detyruar të verifikojnë moshën përpara shitjes.
Kjo masë zbatohet edhe për turistët që vizitojnë arkipelagun me 1,191 ishuj koralorë, i njohur për turizmin e tij luksoz.
Në të njëjtën kohë, ministria ka ruajtur një ndalim të plotë për importin, shitjen, shpërndarjen, posedimin dhe përdorimin e cigareve elektronike, për të gjitha moshat pa përjashtim.
Shitja e produkteve të duhanit tek të miturit dënohet me një gjobë prej 50,000 rufija (rreth 2,800 €).
Vlen të theksohet se një ndalim i ngjashëm është propozuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe është ende në proces ligjor, ndërsa Zelanda e Re, vendi i parë që miratoi një ligj të tillë, e shfuqizoi atë në nëntor 2023, më pak se një vit pas hyrjes në fuqi.

