75 Mall Live Search
10:08 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / P M

Qeveria amerikane bëhet aksionare në një kompani për procesim të mineraleve të rralla

Qeveria amerikane do të bëhet aksionare e një kompanie të re që ka specializim procesimin e mineraleve të rralla të tokës, ka bërë të ditur kompania “Vulcan Elements”, teksa Shtetet e Bashkuara synojnë ta ulin varësinë ndaj Kinës.

Kompania me bazë në Karolinën e Veriut, ka thënë se Qeveria amerikane do të jetë partnere me investitorë privatë dhe do t’i ndajë 550 milionë dollarë në kapitalin e firmës.

Qeveria federale do t’i ndajë 620 milionë dollarë si hua dhe 50 milionë dollarë si grant, dhe në kthim do të ketë aksione në kompaninë “Vulcan” në vlerë të 50 milionë dollarëve amerikanë.

Mineralet e rralla të tokës janë thelbësore për prodhim të pajisjeve elektronike të sofistikuara në disa industri, përfshirë atë automobilistike, në elektronikë dhe për mbrojtje.

“Jemi të fokusuar në kthimin dhe prodhimin e mineraleve të rralla të tokës në shtëpi, për të garantuar që zinxhiri i furnizimit në Amerikë është stabil, i sigurt dhe krejtësisht i qëndrueshëm”, ka thënë sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick përmes një deklarate të lëshuar të hënën.

Kina është lidere në botë në prodhimin e mineraleve të rralla, e cila ka kërkuar licenca specifike për disa eksporte të materialeve qysh në prill, duke goditur shumë sektorë të prodhimit në botë.

Mineralet e rralla kanë qenë ndër temat kryesore të diskutimit në negociatat tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, pasi Uashingtoni e ka akuzuar Pekinin për ngadalësim të procesit të miratimit të licencave për eksport.