E shkeli për vdekje motoçiklistin në Rahovec, Gjykata i cakton një muaj paraburgim ngasësit të veturës
Dega në Rahovec e Gjykatës Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj personit që dyshohet të ketë shkaktuar vdekjen e një personi dy ditë më parë.
Ngjarja kishte ndodhur në Rahovec dy ditë më parë kur i dyshuari nga pakujdesia e kishte goditur në motoçiklist i cili ka vdekur si pasojë e lëndimeve.
“Gjykata Themelore në Gjakovë, Dega në Rahovec, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, me pasoje vdekjen”, thuhet në komunikatën e Gjykatës në fjalë.
“Sipas kërkesës, “më datë 02.11.2025, rreth orës 20:25 min, në Rahovec, nga pakujdesia vë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që, duke drejtuar automjetin e tij të markës “VW Golf”, dhe duke mos i kushtuar kujdes të duhur rrugës dhe duke mos iu përshtatur lëvizjes dhe rrethanave të rrugës, në mënyrë të pasigurt bën kthim majtas duke mos respektuar përparësinë e kalimit të motoçikletës, e cila ka qenë duke lëvizur në përball kalim, ku me pjesën e parë të motoçikletës përplaset në automjetin e markës “Golf”, në krahun e djathtë, ku pas përplasjes drejtuesi i motoçikletës bie në asfalt, ku si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i veturës si dhe drejtuesi i motoçikletës kërkojnë ndihmë mjekësore në QKF – Rahovec, e më pas drejtuesi i motoçikletës dërgohet në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, por i njëjti ka qenë pa shenja jete.””, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Rrezikimi i trafikut publik” që rezulton me vdekje, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake Mizahir Shabani, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke u fshehur apo shmangur organeve të ndjekjes dhe duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet në njoftim.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 2 nëntor 2025 dhe do të zgjasë deri më 1 dhjetor 2025. /IndeksOnline/

