75 Mall Live Search
12:09 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / H F

Kosovarja Liridona Muzaqi me biçikletë përshkoi 5000 km nga Gjermania në Kosovë

Udhëtimi i saj prej 5.000 kilometrash nëpër Evropë është kthyer në një histori guximi, besimi dhe vetëzbulimi – dhe në një thirrje të qetë për të sfiduar kufijtë personalë dhe për të guxuar të bësh diçka të re. „U nisa për ta parë botën“, thotë Liridona Muzaqi dhe shton: „Dhe gjatë rrugës mësova se liria nuk është një vend – por një ndjenjë që e mban brenda vetes“.

Nga Ahmet ASANI

Foto: L. MUZAQI

Liridona Muzaqi, që sot jeton në Gjermani, përshkoi mbi 5.000 kilometra. Udhëtimi i saj u bë simbol i vendismërisë dhe besimit në vetvete. Kur Liridona Muzaqi hipi në biçikletë në Mynih, ajo nuk e dinte se po nisej në një udhëtim që do t’ia ndryshonte jetën.

Ajo që filloi si një ide spontane – të shkonte njëherë me biçikletë në vendlindje – u kthye në një aventurë prej më shumë se 5.000 kilometrash, përmes dhjetë shtetesh, mes maleve, lumenjve dhe rrëfimeve të panumërta.

„Thjesht doja të nisesha,“ – thotë Muzaqi. – „Me qëllimin për të arritur në Kosovë, por pa asnjë plan të qartë – vetëm unë, biçikleta ime dhe rruga.“

Nga Bavaria në Kosovë

E lindur në Kosovë, por e rritur dhe banore e Gjermanisë, ajo donte t’i lidhte të dyja botët në mënyrën e saj – ngadalë, me vetëdije dhe me forcën e vet. Rruga e saj kaloi nga Mynihu nëpër Austri, Italinë veriore, Slloveni, Hungari, Sllovaki, Serbi, Bullgari, Rumani, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, deri në Kosovë.

Gjatë rrugës, ajo ndalonte herë pas here – në Austri dhe Slloveni për të shijuar natyrën, në Rumani për të pushuar shpirtin. Në Shqipëri qëndroi madje një muaj të tërë, për ta njohur më mirë vendin.

„Shqipëria më mahniti,“ – tregon ajo. – „Peizazhi është mahnitës, njerëzit jashtëzakonisht të ngrohtë. U ndjeva njëkohësisht e lirë dhe e lidhur me gjithçka.“

Takime që mbeten në kujtesë

Në rrugën e saj ajo takoi shumë njerëz – familje që e ftonin për drekë, kalimtarë kureshtarë, udhëtarë me biçikletë nga e gjithë bota. Shumë u çuditën që ajo udhëtonte e vetme.

„Të udhëtosh si grua e vetme shpesh ngjall habi,“ – thotë Muzaqi. – „Por pothuajse kudo më pritën me respekt, ndihmë dhe admirim.“

Me çdo kilometër që kalonte, rritej jo vetëm qëndrueshmëria e saj fizike, por edhe besimi në botë. „Mësova që shumica e njerëzve janë të mirë. Dhe se guximi shpesh do të thotë thjesht të bësh hapin e parë – ose në rastin tim, pedalin e parë.“

Net nën yje

Tenda ishte shtëpia e saj, biçikleta – shoqëruesja e përhershme. „Kam fjetur në vende të pabesueshme,“ – kujton ajo. – „Në liqene, në pyje, në maja malore. Kur zgjohem në mëngjes dhe dielli lind mbi kodra, e kupton se çfarë do të thotë liria e vërtetë.“ Natyra, thotë ajo, e mësoi të jetojë në çast. „Me biçikletë e përjeton botën në ritmin e saj – ndien çdo ngjitje, çdo frymë ere, çdo aromë.“

Më shumë se një kthim në shtëpi

Kur më në fund arriti në Kosovë, ajo ishte fizikisht e lodhur, por shpirtërisht e mbushur plot. „Kam mbërritur në atdheun tim,“ – thotë ajo. Për Liridona Muzaqin, udhëtimi nuk ishte vetëm një sfidë sportive. Ishte një kthim te rrënjët, por edhe një deklaratë për pavarësi.

Një mesazh për gratë e reja

Reagimet në Kosovë e prekën më shumë se gjithçka. Shumë vajza të reja e panë si një shembull frymëzimi. „Shumë më thanë se udhëtimi im u tregoi çfarë është e mundur – se edhe një grua mund të jetojë e pavarur dhe të ndjekë ëndrrat e saj,“ – rrëfen ajo.

Udhëtimi i saj prej 5.000 kilometrash nëpër Evropë është kthyer në një histori guximi, besimi dhe vetëzbulimi – dhe në një thirrje të qetë për të sfiduar kufijtë personalë dhe për të guxuar të bësh diçka të re. „U nisa për ta parë botën,“ – thotë Liridona Muzaqi. – „Dhe gjatë rrugës mësova se liria nuk është një vend – por një ndjenjë që e mban brenda vetes.“