Raportin e Komisionit Evropian me vlerësim pozitiv për ATK-në, përparim në fusha kyçe
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht Administratën Tatimore të Kosovës, duke theksuar rritjen e të hyrave, luftën kundër evazionit fiskal dhe avancimin në digjitalizimin e shërbimeve.
Në Kapitullin 16, raporti evidenton progres të konsiderueshëm në disa fusha kyçe të politikave tatimore dhe bashkëpunimit administrativ. Kosova është vlerësuar si “në nivel të qëndrueshëm përgatitjeje”, me përparime të dukshme në kontrollet e bazuara në rrezik, formalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e përmbushjes tatimore.
Të arriturat kryesore:
- Të hyrat e ATK-së arritën mbi 977 milionë euro, një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin e kaluar;
- 179 milionë euro borxh tatimor u mbledh gjatë periudhës raportuese (+8% krahasuar me 2024);
- Kërkesat për rimbursim të TVSH-së u trajtuan mesatarisht për 25 ditë;
- U avancuan rregullat për Transferimin e Çmimeve sipas udhëzimeve të OECD-së;
- U forcua menaxhimi i rrezikut të përmbushjes dhe digjitalizimi i shërbimeve;
- U zgjerua bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit në luftën kundër evazionit dhe pastrimit të parave.
Komisioni Evropian thekson nevojën për përmirësime të mëtejshme në kapacitetet profesionale, modernizimin e IT-së dhe vlerësimin e hendekut tatimor.
ATK mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të një administrate moderne, transparente dhe në përputhje me standardet evropiane, duke vazhduar kontributin e saj në forcimin e sistemit fiskal të vendit.
Raporti i plotë në gjuhen angleze: Raporti i Komisionit Evropian 2025

