75 Mall Live Search
18:10 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / F.R

Forcat ruse forcojnë kontrollin mbi qytetin strategjik Pokrovsk, Kremlini: Po planifikojmë rifillimin e testimeve bërthamore

Forcat ruse po forcojnë kontrollin mbi Pokrovskun, ndërsa përleshjet në rrugë vazhdojnë në këtë qytet strategjik në lindje të Ukrainës, pjesa më e madhe e të cilit tashmë është shkatërruar.

Shtabi i Përgjithshëm ukrainas mohoi pretendimet e Moskës se trupat ukrainase janë rrethuar, duke deklaruar se po bëhen përpjekje për të forcuar krahët rreth Pokrovskut dhe qytetit të afërt Myrnohrad.

Një ditë më parë, presidenti Volodymyr Zelenskyy vizitoi trupat ukrainase rreth 20 kilometra në veri të Pokrovskut, duke i falënderuar për shërbimin dhe mbrojtjen e vendit.

Sipas The Guardian, të dyja palët kanë dhënë versione të ndryshme për luftimet në dhe rreth qytetit, por analistët ushtarakë ukrainas kanë paralajmëruar ditët e fundit për një përkeqësim të ndjeshëm të situatës, me hartat e betejës që tregojnë se forcat ruse ndodhen vetëm disa kilometra larg nga rrethimi i trupave të mbetura ukrainase.

Rusia ka kaluar më shumë se një vit duke u përpjekur të marrë nën kontroll Pokrovskun, një nyje logjistike e rëndësishme në vijën e parë të frontit, që shihet si porta hyrëse drejt Donetskut.Gjatë këtij procesi, Moska ka pësuar humbje të rënda.

Qyteti, i cili para luftës kishte rreth 50 mijë banorë, ndodhet përgjatë një autostrade strategjike që lidh disa qendra urbane mbrojtëse, pjesë e vijës së fundit të rezistencës ukrainase në rajonin e Donetskut.

Rënia e tij do të përbënte një përparim të madh për forcat ruse, duke i afruar më shumë me objektivin e tyre për të pushtuar të gjithë rajonin lindor.

Në javët e fundit, ushtria ruse ka intensifikuar ndjeshëm sulmet, fillimisht me grupe të vogla këmbësorie, përpara se të grumbullonte mjaftueshëm trupa për të nisur një ofensivë të gjerë mbi qytetin.

Sipas projektit ukrainas DeepState, i cili ndjek zhvillimet e frontit përmes imazheve të verifikuara me burime të hapura, të martën forcat ruse kishin avancuar më tej në brendësi dhe periferi të Pokrovskut, megjithëse një pjesë e madhe e zonës mbetet “gri” pra, ende e kontestuar.

Ushtari ukrainas Artem Karyakin shkroi në platformën X se trupat ruse janë “të pranishme në çdo lagje të qytetit”.
“Nuk ka lajme të mira nga atje; situata mbetet shumë e tensionuar. Edhe pse rusët ende nuk e kanë marrë plotësisht kontrollin, luftimet vazhdojnë”,  theksoi ai.

Gjatë fundjavës, Ukraina dërgoi forca speciale në Pokrovsk në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e betejës dhe për të shmangur një rrethim të mundshëm.

Inteligjenca ushtarake publikoi pamje të njësisë speciale “Tymur” në veprim, ku shihet një helikopter që ulet nën zjarr, luftime të ashpra në rrugë dhe sulme me dronë ndaj pozicioneve ruse.
Megjithatë, kjo operacion i guximshëm nuk duket se ka ndryshuar ndjeshëm situatën në terren.

Disa komentues ukrainas dhe perëndimorë kanë vënë në dyshim vendimin e Kievit për të vazhduar mbrojtjen e Pokrovskut, duke argumentuar se kjo ekspozon ushtarët ndaj rrezikut të madh në një betejë që mund të jetë tashmë e humbur.

“Ukraina mund të jetë duke përsëritur një gabim të kushtueshëm në Pokrovsk”,shkroi analisti Emil Kastehelmi nga grupi finlandez Black Bird Group, që monitoron luftën.

“Është një model që po përsëritet, si në Vuhledar dhe Kursk, një hezitim për t’u tërhequr në mënyrë të kontrolluar, kur situata nuk e favorizon më mbrojtësin.”

Gazeta ukrainase Ukrainska Pravda ka kritikuar më parë komandën ushtarake për gabime taktike në Pokrovsk, duke raportuar se disa brigada kanë keqinformuar eprorët për pozicionet e tyre në vijën e frontit.

Ushtria ukrainase përballet me të njëjtat probleme që kanë shkaktuar tërheqje në të kaluarën: mungesë personeli, presion i vazhdueshëm nga dronët rusë dhe vështirësi në furnizim.

Në javët e fundit, Rusia ka përdorur bomba me motor reaktiv, të afta të godasin objektiva përtej vijës së frontit, një zhvillim që ka shtuar presionin mbi mbrojtjen ajrore të Ukrainës, tashmë të tejngarkuar.

Kievi shpreson që edhe në rast të rënies së Pokrovskut, Moska të mos mund ta përdorë qytetin si trampolinë për një ofensivë të re drejt Kramatorskut dhe Slovianskut, dy qytetet më të mëdha nën kontrollin ukrainas në Donetsk, që Rusia ka synuar t’i pushtojë prej kohësh.
Megjithatë, përparimi rus mbetet i ngadaltë dhe me kosto të lartë, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e Kremlinit për të mbajtur ritmin e ofensivës.