75 Mall Live Search
19:40 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / Z S

Abdixhiku në Prishtinë: Prishtina flet e para, Përparimi i pari – fitore dhe asgjë më pak

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur sot një aktivitet zgjedhor në Prishtinë, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, dhe kandidati për kryetar të kryeqytetit, Përparim Rama, shprehën besimin në fitore në zgjedhjet e së dielës.

Abdixhiku tha se LDK është rikthyer si forca e parë në Prishtinë dhe se mbështetja për Ramën është “mirënjohje për mënyrën e drejtë të bërit politikë”.

Ai theksoi se “Prishtina flet e para, Përparimi i pari”, duke nënvizuar projektet kapitale të realizuara në kryeqytet.

“Sot duartrokitjet duhet të jenë vetëm për një njeri, për kryetarin e tashëm dhe të ardhshëm, Përparim Rama. Pas 12 viteve përpjekjesh me plotë, se LDK është parti e parë në kryeqytet. Më shumë se sa votë është mirënjohje për mënyrën se si bëhet politika në Kosovë. Kur Prishtina rreshtohet me LDK-në, është vetëm çështje kohe para se gjithë Kosova të vazhdojë në këtë rrugëtim. Prishtina flet e para, Përparimi i pari. Sot, në këtë sallë të mbushur plot, më lejoni që në garën e së dielës LDK dhe Përparim Rama po prinë fort – fitore dhe asgjë më pak. Kjo fitore është e punëve të mëdha, është për projekte të mëdha kapitale, shkolla të rregulluara, si unaza e brendshme e Prishtinës. Në anën tjetër është një politikë populiste e mbrapshtë sa s’bëhet më, që në mendje ka vetëm bllokimin, ndalimin dhe pengesën e progresit shoqëror. Prishtina flet qartë të dielën – nuk votoni vetëm për LDK-në e Përparimin, por jepni vulë të qartë se nga të shkojë Republika e Kosovës.”, ka theksuar Abdixhiku.

Ndërsa Përparim Rama kujtoi arritjet e katër viteve të fundit, si përfundimi i unazës së brendshme, shkollat me mësim tërëditor dhe zhvillimi i projekteve kulturore e infrastrukturore.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 9 nëntor të votojnë për LDK-në dhe ta çojnë Prishtinën “përtej së bashku”.

“E dini kur kemi filluar para katër vitesh me qytet të fjetur për arsye se askush nuk ka menduar për të, ka marrë aq pak prej qeverisjes tetëvjeçare të mbrapshtë. Që katër vite kemi qenë të qartë dhe përgatitëm vizionin tonë për transformimin e kryeqytetit që tash e katër vite po ndodh, duke filluar me projektin e unazës së brendshme që tani po përfundon. Unaza e jashtme është bllokuar. Kemi bërë mësimin tërëditor, kemi filluar me pesë shkolla dhe kemi vazhduar më tej. Kemi bërë kontrata me sektorin privat për të krijuar biletën tërëditore që i ndihmon secilit qytetar, jo vetëm në qytet por edhe çdo fshat të Prishtinës. Këto projekte të guximshme, të mëdha, ne me projekte po vazhdojmë. Projekti i sheshit Xhorxh Bush që e kemi filluar, por do ta keni deri te rrethi i Flamurit. E kemi katedralen, do ta bëjmë edhe Xhaminë e Madhe në shesh. Po i lidhim 10 lagjet më të mëdha në një hapësirë, ku kemi mundësi të festojmë çdo festë. Arti dhe kultura po lulëzojnë, ka rritje të turizmit që katër vite, kjo tregon që kryeqyteti ka marrë karakter unik në botë, ku të gjithë qytetarët vijnë dhe kalojnë kohë të mrekullueshme në kryeqytetin tonë. Sot unë me krenari ju kërkoj që më 9 nëntor të dalim së bashku, të votojmë LDK-në e ta çojmë Prishtinën përtej së bashku”, ka theksuar Rama./Indeksonline/