75 Mall Live Search
20:00 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / Z S

Besa Shahini për Hajrullah Çekun: As mish, as peshk

Kandidatja e PSD-së për kryetare të Komunës së Prishtinës, Besa Shahini ka komentuar fushatën dhe garën për të parin e Prishtinës.

Sipas Shahinit, për Ramën ska çka flet pasi që për të ka folur katër muaj rresht për mënyrën se si e ka menaxhuar ai Prishtinën.

Ndërsa për kandidatin e VV-së, Hajrullah Çekun ajo thotë se plani i tij nuk është për ta qeverisur më mirë Prishtinën, por për ta zgjeruar pushtetin e VV-së.

Postimi i plotë:

Po ndjek fushatën për balotazhin në Prishtinë.

Për Perparim Ramën s’kam çka komentoj më shumë. Kam folur katër muaj rresht për mënyrën se si e ka menaxhuar Prishtinën dhe jam futur në garë pikërisht për ta kundërshtuar këtë model.

Në anën tjetër, kandidati i VV-së për Prishtinën s’ka asgjë të guximshme në programin e tij.

Flet për shkollat dhe çerdhet vakët, sikur renovimi i tyre të zgjidhte mbingarkesën dhe ndërrimet. Flet për banimin duke e ngushtuar në “fletat poseduese”, një segment i vogël i një problemi shumë më të madh që është banimi i shtrenjtë dhe jo adekuat në Prishtinë. Flet për trafikun duke thënë se sheshi “Xhorxh Bush” duhet të hapet… por edhe të mbetet pak i mbyllur.

As mish, as peshk.

E vetmja gjë që e thotë zëshëm është se, nëse fiton, do të jetë VV në pushtet në Prishtinë dhe kryeministri do ta mbështesë me resurse dhe buxhet si çdo kryetar të VV-së. Kjo nuk është as mirë, as mjaftueshëm për qytetin.

Propozimi i Hajrullah Çekut nuk është për ta qeverisur më mirë Prishtinën, por për ta zgjeruar pushtetin e VV-së.

Kjo betejë është për pushtet, jo për qytet, dhe si e tillë nuk duhet të mbështetet në Prishtinë./Indeksonline/