75 Mall Live Search
20:34 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / Z S

Njohës të politikës nuk janë optimist se mund të bëhet qeveria e re

Pas zhvillimeve të fundit, njohës të politikës nuk janë optimist se mund të bëhet qeveria e re, të bindur se Vetëvendosje nuk i ka numrat e duhur.

“Ka pasur mundësi që këto dhjetë ditë të konsultohet me të gjitha partitë politike dhe të ofrojë-propozojë një qeveri teknike që do ta dërgonte Kosovën në zgjedhje në mars. Kjo qeveri do të miratonte buxhetin, do të ratifikonte marrëveshjet ndërkombëtare për liferim të mjeteve nga Bashkimi Evropian dhe do të kryente disa obligime minimale. Mendoj se kjo ka qenë zgjidhja më e mirë. Mjerisht ka bërë diçka tjetër”, tha Melazim Koci, analist politik, raporton RTK.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është e qartë, shumë e thjeshtë dhe fort e kuptueshme te ky rast. Pasi që të dështojë mandatari i parë për formimin e qeverisë, mandatari i dytë i takon partisë fituese të zgjedhjeve dhe i njëjti duhet që të formojë qeverinë. Natyrisht që presidentja pastaj ka në dsikrecion të saj se si të veprojë më tutje”, tha Dorajet Imeri, profesor universitar

Megjithatë Koci mendon se partitë politike duhet që brenda këtyre 15 ditëve ta mendojnë këtë çështje dhe ndoshta ta votojnë Konjufca për të mos marrë përgjegjësinë  e kolapsit financiar dhe politik dhe për të mos humbur votë të vetën në zgjedhjet e ardhshme.

 “Gjasat janë të vogla, sepse ndasitë pas këtij veprimi të zonjës Osmani janë thelluar. Por, unë mendoj se do të jetë kundër produktive për opozitën nëse nuk i huazon Vetëvendosjes pesë-gjashtë vota. Do të jetë kundër produktive për ta, për opozitën, sepse do të krijohet perceptimi në opinion se z. Kurti bëri kompromis me emrin e z. Konjufca, por që opozita duke refuzuar votimin e dërgoi Kosovën në kolaps financiar dhe kaos institucional”.

“Partitë politike do të vendosin që të sjellin çfarë ato duan, por një gjë duhet ta kenë parasysh, mos votimi i qeverisë e cila natyrshëm që nuk do të zgjasë shumë, do të jetë shumë rrezik i madh për stabilitetin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe në veçanti sa i takon çështjes së buxhetit”.

Partitë parlamentare, Partia Demokratike, Lidhja Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë kundërshtuar caktimin e mandatarit të dytë  duke kërkuar nga presidentja shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare./Indeksonline/