75 Mall Live Search
21:28 / E Mërkurë, 05 Nëntor 2025 / Z S

Shtyhet deri në 2029 misioni i Ushtrisë së Shqipërisë në Sinai të Egjiptit

Këshilli i Ministrave (Shqipëri) miratoi sot shtyrjen deri në fund të vitit 2029 të misionit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë si pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguese (MFO) në Sinai (Egjipt).

Vendimi parashikon që kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 30 dhjetor 2029, me rotacion deri në 365 ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e nisjes së personelit për në mision.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend në 23 mars 2020, Këshilli i Ministrave miratoi në maj 2023 vendimin për dërgimin e ushtarakëve të parë të Forcave të Armatosura si pjesë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve (Multinational Force and Observers, MFO), në Sinai, mision që do të kishte një kohëzgjatje 3-vjeçare.

Misioni i ushtarakëve është vëzhgimi i implementimit të masave të sigurisë të Traktatit të Paqes ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit, të datës 26 mars 1979./Indeksonline/