75 Mall Live Search
10:19 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / MSH

Anulohet tenderi për ndërtimin e rrugëve në “Taslixhe” të Prishtinës

Disa rrugë të lagjes “Taslixhe” në Prishtinë duket se nuk do të rregullohen në një të ardhme të afërt.

Kjo pasi tenderi i parashikuar në vlerë prej 400 mijë eurosh është anuluar, shkruan IndeksOnline.

Platforma e prokurimit publik, E-prokurimi, ka njoftuar për anulimin e aktivitetit të prokurimit për tenderin për ndërtimin e rrugëve në këtë lagje, pas thirrjes për ofertë në gusht të këtij viti.

IndeksOnline raporton se vendimi mbi anulimin e procedurës u mor më 14 tetor, teksa arsye për anulim është kërkesa e autoritetit kontraktues, Kuvendit komunal të Prishtinës, që vlerësoi se oferta e vetme e pranuar është e papërgjegjshme.

Në gusht të këtij viti, Kuvendi komunal i Prishtinës ftoi kompanitë të propozojnë ofertat e tyre për ndërtimin e rrugëve në “Taslixhe”, në një kohëzgjatje prej 90-ditësh.

Mes të tjerash, kushtet e pjesëmarrjes ishin përmbushja e kërkesave të specifikuara të kontratës, përmbushja e dokumentacioneve të nevojshme, ofrimi i dëshmive të përmbushjeve të projekteve dhe të ofrojë dëshmi për kapital të mjaftueshëm financiar./IndeksOnline/