75 Mall Live Search
12:14 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / AR

Ndarja e bujshme, merren vesh mes vete Neda dhe Ogreni

Historia e martesës 10-vjeçare mes opinionistes Neda Balluku dhe Ogren Ballukut (vëllai i zv.kryeministres Belinda Balluku) ka marrë fund. Lajmi që nisi si një thashethem nëpër portale, u konfirmua pak ditë më vonë, duke u finalizuar me depozitimin e kërkesëspadisë civile për zgjidhjen e martesës në gjykatë.

Lajmi mbi kërkesën për divorc të Nedës ndaj Ogrenit u bë publik me shpejtësi në media, duke marrë vëmendjen e publikut. Menjëherë pas këtij publikimi, opinionistja zgjodhi të fliste për herë të parë publikisht, duke hedhur dritë mbi dinamikën e marrëdhënies së tyre.

Në emisionin “Goca dhe Gra”, Neda konfirmoi se ishte ajo që kishte kërkuar ndarjen. Me lot në sy, ajo shpjegoi se marrëdhënia prej kohësh nuk ishte e shëndetshme, duke theksuar se kishte një krizë të gjatë dhe se ata prej kohësh jetonin të ndarë.

“E vërteta është që nuk është hera e parë që jam në këtë situatë… prej shumë vitesh tashmë marrëdhënia nuk është e shëndetshme. Fëmijët e mi meritojnë të rriten të qetë dhe të lumtur”, u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se vendimi ishte i menduar gjatë dhe me fokus interesin e fëmijëve.

Zhvillimi më i fundit i kësaj çështjeje është konkretizimi i saj ligjor. Kërkesë-padia civile, tashmë është regjistruar zyrtarisht në sekretarinë e gjykatës me numër 17084. Gjyqtarja e caktuar për të shqyrtuar dosjen, pas shortit elektronik, është Majlinda Dogga.

Pjesa kyç e këtij procesi është fakti se Neda dhe Ogreni kanë rënë dakord duke lidhur një marrëveshje divorci.

Kjo marrëveshje mes palëve nënkupton se detyrimet, ndarja e pasurisë dhe çështjet që lidhen me fëmijët (të cilat rrjedhin nga zgjidhja e martesës) janë vendosur me konsensus të dy palëve.

Prania e marrëveshjes pritet ta bëjë procesin gjyqësor thjesht formal dhe shumë më të shpejtë, duke i dhënë fund me qetësi martesës së tyre 10-vjeçare, e cila nisi me shumë bujë pas daljes nga shtëpia e “Big Brother Albania” në vitin 2010.