75 Mall Live Search
14:07 / E Enjte, 06 Nëntor 2025 / KV

I dyshuari për vrasjen e dyfishtë ende në arrati

Dy vëllezër janë vrarë në paraditen e kësaj të enjteje në fshatin Golluboc të Malishevës.

I dyshuari është nga Drenasi dhe ai ka arritur që të ikte nga vendi ku edhe kreu krimin.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, ka thënë Sheremet Elezaj nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës.

Ndërsa drejtori i policisë, Lumni Graishta, tha se motivet e para dyshohet të jetë një mosmarrëveshje.

“Është raportuar një rast për vrasje të dyfishtë. Viktimat janë dy vëllezër po nga i njëjti fshat, i dyshuari është nga një fshat i Drenasit, ndërsa motivet janë nga një mosmarrëveshje. Arma është gjetur në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arratisur”, tha Graishta.

Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, njësitet policore kanë angazhuar edhe njësinë speciale me qen (K9) në zonën malore, ku dyshohet se mund të jetë fshehur i arratisuri.