Tender emergjent për hemodializë, SHSKUK siguron pacientët se s’ka ndërprerje të këtij shërbimi
Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Spitalet Rajonale vazhdojnë të përballen me probleme sa i përket furnizimit me materiale shpenzuese për hemodializë, pasi që tenderi për furnizim tash e një kohë është në OSHP, pas ankesës së një operatori ekonomik.
Megjithëse pacientët raportuan për vështirësi për marrje të hemodializës nga SHSKUK dhe Spitalet Rajonale thonë se megjithë vështirësitë në furnizim, të gjithë pacientët i kanë marrë shërbimet e nevojshme të hemodializës dhe se nuk ka pas ndërprerje të këtij shërbimi.
Drejori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit Afrim Cana, mohoi raportimet se në spitalin të cilin ai udhëheq, ka pasur ndërprerje të këtij sherbimi, si pasojë e mungesës së materialit.
Cana tha për Indeksonline se përkunder faktit që janë disa pengesa në furnizim në nivel vendi, furnizimi ditor ka vazhduar dhe se të gjithë pacientët i janë nënshtruar dializës.
“Kjo nuk qëndron. Në spitalin e Gjilanit nuk është ndërprerë shërbimi i dializës as dje as sot, asnjëherë deri më tani. Përkundër faktit që në nivel vendi, janë disa pengesa në furnizim, në kuptimin e zgjidhjes së përhershme. Por furnizim ditor në vazhdimësi ka pas dhe sot ka vazhduar. Prandaj nuk është e vërtetë që shërbimi i dializës për pacientë që kanë qenë të paraparë në programin e djeshit ose programet e ardhshme është ndalu. Nuk është ndaluar asnjëherë. Ka pasur vështirësi në nivel vendi, derisa të bëhen zgjidhjet adekuate. Por ne kemi furnizim ditor në vazhdimësi. Çdo ditë po furnizohemi me material të nevojshëm”, tha Cana.
E edhe zëdhënësi i Spitalit të Prizrenit Shefai Berisha, tha për Indeksonline se Reparti i Dializës po funksionon normalisht.
“Reparti i hemodializës është duke funksionuar normalisht, ka furnizim. Jemi duke u furnizuar sipas kërkesave. Ne nuk kemi pasur vështirësi. Për momentin kemi furnizim dhe po furnizohemi sipas kërkesës. S’ka ndodh që pacientët të mos e marrin dializën”, tha ai.
Ndërkaq nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) thonë se janë furnizuar të gjitha spitalet me material për dializë dhe se nuk do të ketë nderprerje të shërbimeve për pacientët.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, dje ka furnizuar të gjitha spitalet e përgjithshme me material për dializë, ky furnizim do të vazhdoj edhe ditën sotme! Nuk do të ndërpriten shërbimet për pacientët, por ka mundur dje të ketë ndonjë vonesë në fillim të shërbimeve, e që nuk ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, ndaj të cilëve kërkojmë mirëkuptim, duke i njoftuar se të gjithë do të marrin shërbimet e nevojshme mjekësore nga stafi i dializës së institucionit përkatës”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Ndryshe teksa tenderi për furnizim tash e një kohë është në OSHP, SHSKUK- ja dy ditë më parë ka hapur tender emergjent për furnizim me material për Hemodializë për nevojat e SHSKUK-së, në vlerë prej 408 mijë e 393 euro. /Indeksonline/

