CR7: Humbja e djalit e forcoi lidhjen time me Georginën
Cristiano Ronaldo foli së fundmi për marrëdhënien e tij me të fejuarën Georgina Rodríguez, duke zbuluar se si humbja tragjike e djalit të tyre Ángel në vitin 2022 i bashkoi edhe më shumë.
Në një intervistë të sinqertë me Piers Morgan, Ronaldo tregoi se si ai dhe Georgina kanë mbështetur njëri-tjetrin në kohët më të vështira dhe se tragjedia e ka bërë marrëdhënien e tyre më të fortë se kurrë, transmeton Indeksonline.
“Ndjej sikur ne gjithmonë e mbështesim njëri-tjetrin”, tha Cristiano gjatë një paraqitjeje në emisionin “Uncensored” të Piers Morgan më 4 nëntor.
“Ndonjëherë ke momente të mira në një lidhje dhe ndonjëherë ke momente të këqija. Kjo është pjesë e udhëtimit. Por ndoshta e kemi forcuar marrëdhënien tonë edhe më shumë gjatë asaj kohe.”
“Sinqerisht, mësova shumë gjëra,” tha ai. “E pashë jetën nga një perspektivë tjetër. Vajza ime tani, e cila është tre vjeçe, është mbretëresha e familjes. Ajo është ajo që e bën shtëpinë të lumtur.” Ai shtoi, “Gjithçka ndodhi për një arsye. Unë besoj në këtë. Ne jemi një familje e bekuar. Jam krenar për këtë.”/Indeksonline/

