Astrit Isufi dërgohet në një Klinikë tjetër në QKUK për shërim të mëtutjeshëm (Video)
IndeksOnline ka siguruar një video ku shihet i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në fshatin Gollubovc të Malishevës, Astrit Isufi nga Sankoci i Drenasit, teksa nxirret nga Emergjenca e QKUK-së për t’u transferuar në një klinikë tjetër të këtij institucioni shëndetësor.
Në pamjet e siguruara shihet i dyshuari i shtrirë në një karrocë spitalore, me fasha në trup, ndërsa pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës ndodhen pranë tij duke u kujdesur për sigurinë.
Burime nga QKUK bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e Isufit është stabile, megjithëse ai ka plagë nga arma e zjarrit.
Pas arrestimit të tij në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Plloqicë të Malishevës, i dyshuari ishte dërguar fillimisht në urgjencën e Malishevës dhe më pas në QKUK për trajtim të specializuar.
Policia e Kosovës ka konfirmuar më herët se në vendin e krimit në Gollubovc janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, çka ngre dyshime se në momentin e vrasjes ka pasur të shtëna nga të dyja palët.
Organet e hetuesisë dhe drejtësisë ndodhen në kontakt të vazhdueshëm për koordinimin e veprimeve hetimore.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 nëntor, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Naim dhe Driton Morina, ndërsa Astrit Isufi u arrestua pas një dite arrati./IndeksOnline/

