Bislimi takon përfaqësuesit e Shoqatës së Industrisë dhe Biznesit nga Bursa e Turqisë
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot një delegacion të përfaqësuesve të Shoqatës së Industrisë dhe Biznesit Rumelisiad, nga Bursa e Turqisë, të cilët shprehën interesim për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve në Kosovë.
Në takim u diskutua për mundësitë konkrete të zgjerimit të partneriteteve tregtare si dhe investimeve në fusha të ndryshme ndër të cilat u përmendën si potencial energjia, bujqësia, sektori i teknologjisë informative, përpunimit të drurit, shëndetësisë dhe industrisë prodhuese.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të qëndrueshme, sidomos në 5 vitet e fundit, me rritje për kokë banori me 70% në krahasim me 2021, e cila paraqet njëkohësisht rritjen më të madhe në rajon. Ai rikujtoi edhe rritjen e të hyrave tatimore, e cila është arritur përmes përmirësimit të administrimit fiskal, pa asnjë ndryshim në normat tatimore.
Përfaqësuesit e Shoqatës u informuan edhe për politikat sociale, dhe ato për nxitjen e punësimit në vend, sidomos tek gratë dhe të rinjtë, me qëllim të shfrytëzimit maksimal të kapacitetit të vendit. Kosova mbetet një vend me stabilitet fiskal, me borxh publik prej vetëm 17.3% të BPV-së, ndër më të ulëtit në rajon, që krijon hapësirë për investime zhvillimore.
Në fushën e integrimeve rajonale dhe evropiane, Kosova ka avancuar me marrëveshje tregtare preferenciale me BE-në dhe SHBA-të, si dhe marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe së fundmi marrëveshja e arritur me EFTA-n. Njëkohësisht, Kosova sivjet ka kryesuar me sukses proceset në kuadër të CEFTA-s.
Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi se, për të përshpejtuar investimet, Zyra për Promovimin e Investimeve është vendosur pranë Zyrës së Kryeministrit, me qëllim të koordinimit më të shpejtë dhe më efikas me sektorin privat. Ai theksoi se Kosova është ndër vendet me rritjen më të shpejtë të investimeve në katër vitet e fundit në rajon, dhe jemi duke punuar që kjo rritje të përshpejtohet edhe më tej.
Përfaqësuesit e biznesit shprehën interes konkret për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor, dhe theksuan gatishmërinë për të vepruar si urë lidhëse për investime të reja dhe për shkëmbime ekonomike afatgjata.

