75 Mall Live Search
23:08 / E Premte, 07 Nëntor 2025 / F.R

OKB: Gati 100 njerëz u rrëmbyen ose u zhdukën në Siri vetëm nga janari

Gati 100 njerëz janë regjistruar si të rrëmbyer ose të zhdukur në Siri nga fillimi i këtij viti, ndërsa vazhdojnë raportet për zhdukje të reja me forcë, tha të premten zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.

“Njëmbëdhjetë muaj që nga rënia e ish-qeverisë në Siri, ne vazhdojmë që të pranojmë raporte shqetësuese për dhjetëra rrëmbime dhe zhdukje me forcë” – tha para gazetarëve në Gjenevë zëdhënësi i Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Thameen Al-Keetan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

OHCHR-ja ka dokumentuar të paktën 97 njerëz që janë rrëmbyer ose janë zhdukur nga janari i këtij viti dhe kjo zyrë tha se ishte vështirë që të përcaktohej një numër i saktë.

Shifra e re u shtohet më shumë se 100.000 njerëzve që ishin zhdukur gjatë pushtetit të ish-presidentit Bashar al-Assad, tha zëdhënësi Al-Keetan.

Edhe pse disa familje janë ribashkuar me të dashurit e tyre që nga rënia e Assadit, shumë të tjerë ende nuk dinë gjë për gjendjen e të afërmve të tyre, tha OHCHR-ja.