S’ka më ankesa, KQZ certifikon rezultatet përfundimtare në Prishtinë, Mamushë dhe Junik
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të tri komunave: Prishtinë, Mamushë dhe Junik.
Ky vendim i KQZ-së vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.
Këto rezultate mund t’i gjeni këtu: https://kqz-ks.org/rezultatet/zgjedhjet-per-kryetare-te-komunave/
Në vazhdim të mbledhjes u prezantua një raport lidhur me fazën përfundimtare të përgatitjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave që mbahet nesër.
Në mbledhje u njoftua se ka përfunduar shpërndarja e materialit zgjedhor, një proces i cili është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, më 5 dhe 6 nëntor në Qendra Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit; kabinat e votimit dhe materiale të tjera administrative, ndërkaq më 8 nëntor, nën përcjellje e Policisë së Kosovës janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, si: fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat.

