Rifillimi i testeve bërthamore, Rusia ka një paralajmërim për SHBA-në
Rusia i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të sqarojnë qëndrimin e tyre mbi mundësinë e rifillimit të testeve bërthamore. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, tha se sinjalet që vijnë nga Uashingtoni janë kontradiktore dhe mund të çojnë në hapa reciprokë nga ana e Moskës.
“Pyetja mbetet ende e hapur, përfshirë edhe në Shtetet e Bashkuara: a bëhet fjalë për testime të sistemeve të shpërndarjes së armëve bërthamore, apo për testime shpërthyese të elementeve bërthamore, në kundërshtim me Traktatin e Ndalimit të Plotë të Testeve Bërthamore?”, u shpreh Maria Zakharova.
Zakharova paralajmëroi se nëse Uashingtoni planifikon të rinisë testet, kjo do të detyrojë që edhe vendet e tjera të ndërmarrin hapa të njëjtë, përfshirë edhe Rusinë.
“Ky është një zhvillim që mund të nxisë përgjigje nga shtetet e tjera, përfshirë Rusinë, ashtu siç ka paralajmëruar presidenti Vladimir Putin.”, shtoi ajo.
Deklarata vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi javën e kaluar ushtrinë amerikane të rifillojë procesin për testime bërthamore, pa sqaruar nëse bëhet fjalë për raketa me kapacitet bërthamor apo teste shpërthyese.
Menjëherë pas kësaj, Putin urdhëroi zyrtarët e tij të lartë të hartojnë propozime mbi testimet e mundshme të armëve bërthamore.
Nga ana tjetër, Rusia ka vendosur që t’i përgjigjet thirrjeve të Venezuelës për ndihmë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme deklaroi se Moska po i ndjek me vëmendje zhvillimet politike në vendet e Amerikës Latine dhe në Karaibe.
Më herët, presidenti venezuelian Nicolas Maduro kërkoi ndihmë ushtarake Rusisë pas kërcënimeve të vazhdueshme nga Donald Trump.

