75 Mall Live Search
13:50 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / S Z

Prebreza pas fitores në Fushë-Kosovë: Kjo fitore është kthim i pushtetit te qytetarët

Pas shpalljes së tij si kryetar i ri i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, në një intervistë në Teve1 ku ka folur për fitoren dhe për angazhimin e tij të ardhshëm për zhvillimin e komunës.

Prebreza ka theksuar se e konsideron fitoren e tij si një sukses të qytetarëve dhe një shenjë të pjekurisë politike në Fushë-Kosovë. Ai ka folur për mënyrën e zhvillimit të fushatës dhe koalicionin që u krijua, duke u shprehur se PDK-ja ka mbështetje të madhe nga qytetarët.

“Si zakonisht, me rutinë, kemi pasur takime me qytetarët. E kemi thënë publikisht që koalicioni i vetëm që ka rëndësi është me qytetarët. Qytetarët, pavarësisht koalicioneve që partitë e tjera kanë bërë, kanë treguar pjekuri të madhe në Fushë-Kosovë. Ata nuk i kanë mbështetur partitë që kanë formuar koalicione të pa natyrshme dhe këtë e kemi pritur si rezultat”, ka thënë Prebreza.

Prebreza ka theksuar rëndësinë e kësaj fitoreje, duke e konsideruar si një kthim të pushtetit te qytetarët e Fushë-Kosovës. Ai ka shtuar se kjo fitore është një simbol i ndryshimit dhe një mundësi për të plotësuar kërkesat e qytetarëve.

“Kjo fitore për mua do të thotë shumë, sepse nuk ka bastione më në Kosovë dhe nuk mund të llogariten si të tilla. E dyta, kjo është një kthim i pushtetit te qytetarët e Fushë-Kosovës, sepse ata e kanë pritur këtë gjë për një kohë të gjatë. Realisht, kemi pasur një pushtet mbi 20 vjet, por të larguar nga kërkesat e qytetarëve”, ka thënë ai.

Prebreza ka shprehur gatishmërinë e tij për të punuar ngushtë me qytetarët dhe për t’u angazhuar për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në Komunën e Fushë-Kosovës.