IPK rekomandon suspendimin e 4 policëve në Podujevë, dyshohen për keqtrajtim të dy qytetarëve brenda stacionit policor
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë që shërbenin në Stacionin Policor të Podujevës, pas dyshimeve për tejkalim të autorizimeve gjatë përdorimit të forcës.
Sipas njoftimit zyrtar, informacionet fillestare për rastin janë pranuar nga vet Policia e Kosovës, ndërsa hetimet e para tregojnë se zyrtarët e përfshirë dyshohet se kanë keqtrajtuar dy qytetarë, prej të cilëve njëri është i mitur, brenda ambienteve të stacionit policor.
Hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërsa katër zyrtarët po hetohen nën dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.”
IPK ka bërë të ditur se hetuesit e saj janë në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë dhe se pritet të ndërmerren veprime të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./IndeksOnline/

