75 Mall Live Search
15:27 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / P M

Supremja refuzon katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të PZAP-së

Kolegjet e Gjykatës Supreme kanë refuzuar katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.108/2025, është refuzuar si e pabazuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Prishtinës, nga subjekti politik “Lidhja për Prishtinën”, Kreshnik Sopi, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.374/2025, të datës 05.11.2025.

Ankuesi kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore, e cila, sipas tij, “në vend që të garantojë përfshirje minimale të gjinisë së kundërt, është zbatuar në mënyrë mekanike duke tejkaluar kufirin e arsyeshëm dhe duke çuar në përjashtimin e një kandidati që ka fituar më shumë vota nga qytetarët”.

Gjykata Supreme, konstatoi se mënyra e përllogaritjes së mandateve, siç është aplikuar nga KQZ dhe është konfirmuar nga PZAP, nuk cenon përcaktimin e vullnetit të votuesit, e as nuk bie në kundërshtim me praktikat e zgjedhjeve e as me praktikën e GJEDNJ-së, sikurse pretendon pala ankuese. “Gjykata Supreme vlerëson se përfaqësimi gjinor nuk është vetëm një kërkesë formale në përbërjen e listës, por një detyrim që zbatohet edhe gjatë shpërndarjes së mandateve, në mënyrë që të sigurohet përfaqësim efektiv i të dy gjinive në institucionet e zgjedhura”.

Në rastin e dytë, me numër lënde AA.nr.109/2025, është refuzuar si e pabazuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Podujevës, nga radhët e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Isuf Osmani, e paraqitur kundër  vendimit të PZAP-së, ZL.Anr.377/2025, të datës 05.11.2025.

Edhe në këtë rast, ankuesi kishte kontestuar aplikimin e kuotës gjinore. Kolegji i Gjykatës Supreme, theksoi se, “pretendimet e kandidatit në ankesë se ulësja në Kuvendin Komunal i takon atij nuk qëndrojnë ligjërisht, pasi një veprim i tillë do të shkelte dispozitat mbi kuotën gjinore dhe do të cenonte përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar në Kuvend Komunal”.

Në rastin e tretë me numër lënde AA.nr.110/2025, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e paraqitur nga ankuesit: Tush Berisha, kryetar i subjektit politik: Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), dhe Anduena Culaj, kandidate dhe bartëse e listës, nga radhët e këtij subjekti politik, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.391/2025, të datës 05.11.2025.

Ankuesit kontestojnë vendimin e PZAP-së duke propozuar që të bëhet rishpërndarja e mandateve për Asamblenë Komunale në Komunën e Klinës.

Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, nuk garanton ndarje të mandateve në mënyrë identike me komunat e tjera, të cilat janë marrë si shembuj në ankesë. “Për më tepër, në asnjë dispozitë ligjore të këtij ligji nuk përcaktohet kuotë për kuvendin komunal si tërësi, por për listat e subjekteve, andaj edhe ndarja e ulëseve varet ekskluzivisht nga rezultati i votave brenda asaj komune dhe renditja e kandidatëve në listën e subjektit politik, duke respektuar kuotën minimale gjinore prej 30 për qind”.

Në rastin e katërt, me numër lënde AA.nr.112/2025, është refuzuar si e pabazuar ankesa e kandidat për asamblist të Kuvendit Komunal në Komunën e Mitrovicës së Veriut, nga Subjekti Politik Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, Nedzad Uglanin, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.390/2025 të datës 5.11.2025.

Uglanin në ankesën e tij, propozon që Gjykata Supreme të kthejë çështjen për rishqyrtim dhe ta urdhërojë PZAP-në që të rivlerësojë vendimin duke përcaktuar numrin e banorëve rezident në bazë të burimeve statistikore.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas shqyrtimit të çështjes, e ka pranuar si të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, duke konsideruar se në rastin konkret juridik, është marrë vendim i drejtë, me të cilin nuk është bërë diskriminim dhe nuk është cenuar e drejta zgjedhore apo ndonjë e drejtë themelore e paraparë me Ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës; nuk janë cenuar parimet themelore të procesit zgjedhor të parapara shprehimisht me nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe me dispozitat përkatëse të Konventës Evropiane të Drejtave të Njeriut.

Linqet e vendimeve:

https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_108_2025_SQ.pdf

https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_109_2025_SQ.pdf

https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_110_2025_SQ.pdf

https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_112_2025_SQ.pdf