75 Mall Live Search
16:00 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / MSH

Ankesat mbi reagimin policor në QKN-në e Mitrovicës, intervenon IPK-ja

Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një ankesë dhe informacione dje në orët e mbrëmjes, lidhur me reagimin policor në Qendrën Komunale të Numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut.

Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime paraprake hetimore për të verifikuar pretendimet se zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime hetimore në QKN pa autorizimin e prokurorit kompetent.

IPK-ja bën me dije se veprimet janë ndërmarrë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së duke pasur parasysh edhe aspektin e pavarësisë operacionale të policisë.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se nga zyrtarët policorë që kanë reaguar dhe kanë hyrë në QKN nuk janë përfillur disa nga procedurat e parapara me Planin Operativ të PK-së të përgatitur për këtë proces zgjedhor.

Sidoqoftë, IPK do të ndërmarrë edhe veprime të tjera në koordinim të plotë edhe me Prokurorinë e Shtetit duke përfshirë edhe konsultat me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti” thuhet në njoftim.