Mishi i importuar nga Rumania rezulton me salmonelë, AUV-i asgjëson gati 28 kg mish pule në Prizren
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës, duke iu referuar njoftimit nga sistemi i paralajmërimit të shpejtë për ushqim, njofton opinionin se gjatë kontrollit të kryer në një ngarkesë të produktit MDM pule, të importuar nga Rumania në Prizren, është konstatuar prania e bakterit “Salmonella spp”.
Në një njoftim zyrtar, AUV-i deklaron se gjatë inspektimeve është vërtetuar ekzistenca e salmonelës në sasinë prej 27.7 kilogramë mish pule.
“Menjëherë pas konstatimit të këtij rasti, sasia e importit nga lloti, i cili ka rezultuar pozitive është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore”, deklaron AUV-i.
Me këtë rast, agjencia bën me dije se do vazhdojë të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare si edhe me bizneset që merren me importin e mishit për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.

