75 Mall Live Search
19:21 / E Mërkurë, 12 Nëntor 2025 / AR

Arrestohet këngëtari i famshëm

Një nga emrat më të njohur të muzikës botërore, Akon, është arrestuar në Georgia (SHBA) pas një urdhër-arresti të lëshuar jashtë shtetit, kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Sipas raportimeve të mediave amerikane, këngëtari 52-vjeçar, me emrin e vërtetë Aliaune Thiam, u ndalua nga Policia e Chamblee mëngjesin e 7 nëntorit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në Roswell, New Mexico.

Të dhënat e policisë tregojnë se ylli i “Locked Up” u transferua menjëherë në burgun e Qarkut DeKalb, ku qëndroi rreth gjashtë orë pas hekurave, përpara se të lirohej. Një përfaqësues i Zyrës së Sherifit të Qarkut DeKalb konfirmoi për TMZ:

“Akon u arrestua për një urdhër aktiv jashtë qarkut, por tashmë është liruar.”

Në foto nga momenti i ndalimit, këngëtari shihet me bluzë të zezë me kapuç dhe pa shumë shprehje në fytyrë. Ende nuk dihet se për çfarë arsye është lëshuar urdhër-arresti ndaj tij, ndërsa autoritetet e Roswell po hetojnë rrethanat. Për momentin, përfaqësuesit e Akon nuk kanë dhënë asnjë koment zyrtar.

Akon, i njohur për hitet e tij si “Lonely”, “Smack That” dhe “I Wanna Love You”, është i nominuar pesë herë për çmimin Grammy dhe ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj si Eminem, Snoop Dogg dhe Lady Gaga. Vitet e fundit, ai është përqendruar në projekte filantropike dhe zhvillim ekonomik në Afrikë. Iniciativa e tij “Akon Lighting Africa” ka sjellë energji diellore në mijëra komunitete në kontinentin afrikan.

Po ashtu, këngëtari është themelues i projektit “Akon City” në Senegal, një projekt futuristik me vlerë 4.7 miliardë paund, i quajtur nga mediat “Wakanda e jetës reale”, i frymëzuar nga filmi Black Panther. Megjithëse ndërtimi i qytetit ishte planifikuar të përfundonte në vitin 2023, projekti aktualisht ka ngecur dhe terreni mbetet kryesisht i pazhvilluar.